Hapa solidariteti për jetën, Ecja Ndërgjegjësuese e “Tetorit Rozë” në Junik
Nën shenjën e jetës, kurajës dhe humanizmit, Komuna e Junikut dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) organizuan sot Ecjen Ndërgjegjësuese në kuadër të muajit ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit.
Marshimi simbolik nga oborri i Komunës deri te QKMF bashkoi përfaqësuesit institucionalë, personelin shëndetësor dhe qytetarët në një kauzë të përbashkët: afirmimin e mesazhit se kujdesi ndaj vetes është përgjegjësi e lartë, dhe se diagnostikimi i hershëm mbetet çelësi i shpëtimit të jetës.
Me këtë rast, u ritheksua rëndësia e shërbimit të mamografisë mobile, e cila ndodhet në oborrin e QKMF-së në Junik, ku gratë dhe vajzat ftohen të kryejnë ekzaminimet pa pagesë.
Komuna e Junikut shpreh mirënjohje të thellë për çdo qytetar që iu bashkua këtij marshimi, duke i dhënë zë dhe dinjitet shpresës e shëndetit në komunitetin tonë.



