Kuvendi i Komunës është organi më i lartë përfaqësues dhe vendimmarrës i vetëqeverisjes lokale, i përbërë nga anëtarët e zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët për një mandat katërvjeçar.
Në mbështetje të Statutit të Komunës dhe legjislacionit në fuqi, anëtarët e Kuvendit ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kryesore për miratimin dhe ndryshimin e Statutit, rregulloreve komunale, planit vjetor të punës, si dhe miratimin e buxhetit komunal dhe planeve të investimeve strategjike.
Nëpërmjet punës në seancat plenare dhe në komitetet e përhershme (Komiteti për Politikë e Financa dhe Komiteti për Komunitete), anëtarët vendosin për nivelin e tarifave e taksave lokale, emërtimin e hapësirave publike dhe orientimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror.