Në Komunën e Junikut u mbajt punëtoria institucionale për validimin e të dhënave dhe prioriteteve zhvillimore
Në vazhdën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe akademike, dje, në Komunën e Junikut u mbajt punëtoria institucionale me temën “Validimi i të dhënave dhe prioriteteve zhvillimore”, organizuar nga Universiteti “Haxhi Zeka” – Instituti për Shkencë dhe Arte, në kuadër të Misionit të Tretë për bashkëpunim me komunat e rajonit të Dukagjinit.
Ekipi i udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Elvis Elezaj u prit nga Kryetari i Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, me bashkëpunëtorët e tij. Kryetari Shehu çmoi lart iniciativën dhe përkrahjen profesionale të universitetit, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fokus të punëtorisë ishte studimi i fizibilitetit për Komunën e Junikut, validimi i të dhënave për periudhën 2021–2025, identifikimi i mangësive në informacion dhe konfirmimi i prioriteteve zhvillimore.
Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me orientimin strategjik, infrastrukturën, kapitalin njerëzor dhe tregun e punës, ndërlidhjen rajonale, potencialin zhvillimor, investimet dhe projektet prioritare.
Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt planifikimit strategjik mbi baza shkencore dhe profesionale, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të Komunës së Junikut.



