Dita e Gështenjës në Junik, festë e traditës, natyrës dhe mikpritjes
Mes bukurive natyrore të Junikut, ngjyrave të arta të vjeshtës dhe aromës së gështenjave, u shënua festa tradicionale „Dita e Gështenjës“, e organizuar nga Komuna e Junikut në bashkëpunim me CNVP Kosova.
Festa mblodhi qytetarë, mërgimtarë dhe mysafirë të shumtë, duke promovuar traditën, kulturën dhe pasuritë natyrore të Junikut. Kryetari i Komunës, z. Ruzhdi Shehu, theksoi rëndësinë e kësaj feste për ruajtjen e vlerave tradicionale dhe promovimin e potencialeve të trevës.
Në panairin „Taste of Junik“ u prezantuan produkte dhe vlera të veçanta vendore, përfshirë mollët, gështenjat, turshitë, mjaltin, veshjet kombëtare, si dhe fotografi të faunës së egër nga fotografi z. Berlim Gjoci.
Atmosferën festive e pasuruan interpretimet e shkëlqyera muzikore të tenorit të njohur Shkodran Tolaj dhe bashkëshortes së tij, artistes Besiana Mehmeti, Kënaqësi e veçantë ishte edhe vallëzimi i grupit të shkollës, i cili solli gjallëri dhe bukuri artistike në këtë organizim.
„Dita e Gështenjës“ mbetet një festë që bashkon njerëzit rreth traditës, natyrës dhe mikpritjes junikase, duke promovuar vlerat që e bëjnë Junikun të veçantë.



