JUNIKU, ME DYER TË HAPURA DREJT EVROPËS! 🇽🇰🇩🇪🇪🇺
Partneritete të reja, mundësi të reja dhe hapa konkretë drejt një Juniku më evropian!
Sot pata kënaqësinë e veçantë të mirëpres në Junik një delegacion nga Gjermania, të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Nüteshtrumtalit, z. Stefan Scheddin, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, znj. Jovita Galster-Döring, z. Sascha Schmidt dhe znj. Kristina Schneider
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe z. Mustaf Abazi, Drejtor i kompanis Go East GmbH, President i Rrjetit të Bisneseve Gjermano-Shqiptarë dhe Nënkryetar i Shoqatave Gjermano-Kosovare.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për të zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi për Junikun. Qëllimi ynë është i qartë: miqësinë dhe marrëdhëniet e mira me partnerët gjermanë t’i shndërrojmë në projekte konkrete, shkëmbim përvojash dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë.
Mysafirët së pari i pritëm në zyrën time në Komunë, ku zhvilluam një takim pune dhe diskutuam mundësitë e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe hapat e ardhshëm për konkretizimin e tyre.
Më pas vazhduam me vizitat në Institucionin Parashkollor “Yjet e Gjeravicës” dhe në Shkollën Fillore “Edmond Hoxha”, ku u njohëm nga afër me ambientet, aktivitetet dhe përkushtimin ndaj edukimit dhe arsimimit të fëmijëve e nxënësve tanë.
Vizitën e përmbyllëm në një atmosferë të veçantë, në Darkën tradicionale të Lamës, të organizuar me përkushtim nga Gjimnazi “Kuvendi i Junikut”. Ishte një mundësi e bukur që miqtë tanë gjermanë të njiheshin më nga afër me traditat, kulturën dhe mikpritjen e Junikut.
Për ne, orientimi evropian nuk është vetëm një aspiratë, por një angazhim i përditshëm për zhvillim, bashkëpunim dhe krijimin e mundësive të reja. Besojmë fuqishëm se përmes partneriteteve me komunat dhe institucionet gjermane mund të sjellim përvoja të vlefshme, praktika të mira dhe iniciativa që ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve.
Junikun evropian duam ta ndërtojmë me punë, me partneritete të qëndrueshme dhe me rezultate konkrete.
Falënderoj përzemërsisht miqtë tanë nga Gjermania dhe z. Mustaf Abazi për vizitën, miqësinë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me komunën tonë.
JUNIKU PO NDËRTON URA BASHKËPUNIMI ME EVROPËN! 🇽🇰🤝🇩🇪🇪🇺




