Të dashur qytetarë të Junikut,
Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë që të premten Komuna e Junikut ishte nikoqire e një takimi të rëndësishëm rajonal në kuadër të zonës veri-perëndimore. Në komunën tonë patëm nderin të presim Dr. Micong Klimes, përfaqësuese e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane, GIZ-it dhe KfW-së, si dhe kolegët e mi, kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, dhe zyrtarët përfaqësues të komunave të Deçanit dhe Istogut.
Fakti që ky takim u mbajt në Junik tregon vlerësimin e partnerëve tanë për punën dhe seriozitetin që kemi treguar si komunë, pavarësisht buxhetit dhe kapaciteteve të kufizuara me të cilat përballemi. Përmes këtij bashkëpunimi me komunat fqinje dhe përkrahjes në pajisje e infrastrukturë, po krijojmë zgjidhje afatgjata që një komunë e vetme nuk mund t’i përballojë lehtë.
Ky projekt ka rëndësi shumë të madhe për Junikun. Pas fillimit të ndarjes së mbeturinave në burim në lagjet “Agim Ramadani” dhe “7 Shtatori” — sistem që synojmë ta shtrijmë në tërë komunën — me mbështetjen e Qeverisë Gjermane dhe të BE-së do të fillojë edhe ndërtimi i oborrit reciklues, i cili do ta plotësojë ciklin e grumbullimit në komunën tonë.
Falënderim të veçantë për Qeverinë Gjermane, Ambasadën Gjermane dhe GIZ-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Junikut. Ruajtja e natyrës sonë të bukur dhe e mjedisit të pastër mbetet detyrë e jona e përbashkët për familjet tona dhe brezat që vijnë.




