Në sallën e Kuvendit të Komunës së Junikut u mbajt mbledhja e katërt e rregullt për këtë vit e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), e cila u udhëhoq nga kryesuesi z. Shepjtim Gacaferi. Gjatë kësaj mbledhjeje u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi për zhvillimin dhe funksionimin e rregullt të komunës.
Mbledhja filloi me arsyetimin e mungesave të anëtarëve, ndërsa më pas u miratua procesverbali nga mbledhja e kaluar, duke siguruar vazhdimësinë e punës së komitetit. Në vijim u prezantua raporti financiar i Komunës për periudhën janar-mars 2025, ku u analizuan të hyrat dhe shpenzimet e realizuara gjatë këtij tremujori.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua gjendjes aktuale të shërbimeve publike në komunë, përfshirë menaxhimin e mbeturinave, ndriçimin publik dhe furnizimin me ujë. Po ashtu, u dha një pasqyrë e përgjithshme mbi sektorin e arsimit në komunë, me theks në sfidat ekzistuese dhe nevojën për përmirësim të kushteve në institucionet arsimore.
Një ndër pikat kyçe të rendit të ditës ishte vendimi për fillimin e procedurave për plotësim-ndryshimin e projekt-Rregullores për taksa, tarifa dhe ngarkesa për vitin 2026, me qëllim përshtatjen e saj me prioritetet e reja të komunës dhe kërkesat e qytetarëve. Mbledhja vazhdoi me pyetje nga anëtarët e KPF-së dhe u përmbyll me diskutime të tjera në pikën “Të ndryshme”.