Stafi Akademik i Universitetit dhe studentët po ashtu, vlerësuan pozitivisht të gjithë procesin e punës të prezantuar nga përfaqësuesit e akterëve hartues të strategjisë punuese për planifikim arkitektonik të Junikut. Po ashtu, pjesëmarrësit e lart përmendur dhe përfaqësues të tjerë të Organizatave Joqeveritare të cilat zhvillojnë aktivitete në fushën e turizmit, përfaqësues të institucioneve – departamenti turizmit nga Juniku, Deçani, Peja dhe përfaqësues të sektorit privat, realizuan vizitë studimore në qytetin e Shkodrës. Kjo vizitë ka për qëllim gërshetimin e njohurive teknike, sociale dhe historike për trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Rrafshit të Dukagjinit, me shembuj të ndryshëm të menaxhimit të aseteve kulturore, krijimit të ofertës turistike dhe adresimit të saj në publik.
Vizitat studimore organizohen në kuadër të Projektit për Zhvillim të Turizmit
“Shihemi n` Dukagjin” financuar nga Bashkimi Evropian dhe menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë. Projekti zbatohet nga CHwB-ja në bashkëpunim me komunat Junik, Deçan dhe Pejë, që ka për qëllim të kontribuoj në zhvillimin e mëtutjeshëm të resurseve njerëzore dhe përmirësimin e aseteve kulturore në regjionin Perëndimor të Kosovës.
Vizitat janë bërë kryesisht në rrethin e Shkodrës, si në “Natyral Resor Razma” në Razmë, shtëpia tradicionale shkodrane Hotel “Tradita” në Shkodër, vizitat në Muzeun e qytetit, Kalanë e Rozafës dhe Ura e Mesit. Të gjitha kanë rezultuar me përvoja të ndryshme si teknike ashtu edhe sociale sa i përket fushës së trashëgimisë kulturore, natyrore dhe shpirtërore të gërshetuara për mrekulli me turizmin e kësaj ane. Gjë e cila ka ndikuar edhe tek pjesëmarrësit ku gjatë diskutimeve ata kanë vlerësuar që parimisht të fillohet me ngritjen dhe specializimin e kapaciteteve njerëzore,duke krijuar bazë të mirë të stafit për planifikim, menaxhim dhe organizim sa më të mirë për turistët që do të vizitojnë rajonin e Dukagjinit.
Njëkohësisht është realizuar edhe work-shop-i me të pranishmit pas vizitave, ku përveç qëllimit për ngritje dhe edukim të stafit, objektiv tjetër është konsideruar rregullimi i infrastrukturës së shërbimeve publike dhe private,organizimi- mbështetja e institucioneve të nivelit qendror si dhe promovimi, specializimi në këtë fushë për promovimin më të mirë të mundshëm të resurseve kulturore, natyrore dhe shpirtërore që ka Kosova Perëndimore. Të katër këto fusha duhet të zhvillohen si proces në të njëjtën kohë, kështu u pajtuan të gjithë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave joqeveritare të pranishme.
Në kuadër të projektit “Shihemi n` Dukagjin” themelimi i Qendrës Rajonale për Turizëm, nga konkursi i këtij projekti Juniku ka arritur të jetë edhe përfaqësues i dy komunave të tjera të Dukagjinit, Deçanit dhe Pejës. Me 21 Maj të këtij viti Kulla e Isufajve tashmë e restauruar nga CHwB-ja do të jetë Qendra Rajonale për Turizëm në këtë zonë, sipas marrëveshjes së komunave të theksuara më lartë.
Përfaqësues nga Komuna e Junikut, Instituti për Planifikim Hapësinor (MAPH),
UNHABITAT-it,Trashëgimia Kulturore pa Kufi (CHwB) dhe përfaqësues të sektorit privat, prezantuan procesin e hartimit të dokumenteve të rëndësishme në fushën e arkitekturës së Junikut. Hartimi i Planit Zhvillimor Komunal, Planit Zhvillimor Urban dhe Planeve Rregulluese Urbane, ndryshe janë shembulli më i mirë në Kosovë dhe si i tillë u prezantua para studentëve dhe stafit akademik të Universitetit Polis në Tiranë.