Fjalën përshëndetëse kishte i pari i Junikut për të pasuar me fjalimin e tij Kryeparlamentari, z. Jakup Krasniqi, Ministri i Arsimit, z. Ram Buja, Akademik – Pajazit Nushi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka dhe për ekspoze ishte Prof. Dr. Jusuf Bajraktari.
Ndërsa në manifestimin qendror këtë 100 vjetor e përkujtuan edhe Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, po ashtu familja Haradinaj, Jashari, Përfaqësues nga Qeveria e Shqipërisë si dhe përfaqësues të shqiptarëve nga Mali i Zi, Maqedonia, Lugina Preshevës e shumë të tjerë. I pari i Junikut gjatë manifestimit qendror ka ndarë çmimin “Kuvendi i Junikut”
Dikur takimet mbaheshin në Kulla, saktësisht në oda të burrave, e në këtë 100 vjetor u përurua Kulla e Isufajve, nga një donacion i Bashkimit Evropian dhe është restauruar nga CHwB-ja. Kjo kullë që në vete mban titullin e projektit “Shihemi n`Dukagjin” është Qendra Rajonale e Turizmit për rajonin e Dukagjinit. Në këtë kullë të gjithë turistët vendor dhe ndërkombëtar do të kenë mundësi të marrin informacione nga më të ndryshmet, rreth produkteve turistike.
Ky manifestim u shënua po ashtu edhe me vënien e gurë themelit të pllakate në nder të 100 vjetorit të Kuvendit të Junikut.
Në 100 vjetorin e “Kuvendit të Junikut” u organizua manifestim katër ditor, duke filluar prej dje me 21 maj e deri të enjten 24 maj. Përvjetori jubilar për Junikun dhe mbarë kombin shqiptar është organizuar nën Patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Komunës së Junikut, Z. Agron Kuçi.
Juniku edhe në këtë përvjetor mblodhi parinë e gjithë shqiptarisë ashtu si në 1912, duke filluar me Akademinë “Kujtesë Historike” që ishte nën përkujdesjen e Institutit të Historisë së Kosovës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.