Praktikat e deritanishme të përpilimit të planeve zhvillimore komunale dhe urbane ishin ato të tenderimit tek kompanitë private. Qasja e tenderimit ka pasur një kosto shumë të lartë dhe në shumë raste ka rezultuar me nivel të ulët të pronësisë dhe zbatimit të mëtutjeshëm të planit.
Për këtë arsye, komuna e Junikut pat marr vendim që me resurset njerëzore të saj të jetë vet bartëse e hartimit të këtij plani duke u mbështetur edhe në përkrahjen profesionale të donatorëve si nga Programi për Mbështetjen komunave në Planifikim hapësinor i UN-HABITAT (i financuar nga Sida suedeze) dhe OJQ- Trashëgimia Kulturore pa Kufij. Komuna në procesin e hartimit të planit ka pasur përkrahjen nga Instituti për planifikim hapësinor i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Hartimi i Plani Zhvillimor Komunal është kërkesë ligjore dhe dokument i cili identifikon sfidat, jep vizion dhe synime të qarta për zhvillimin e ardhshëm hapësinor të komunës së Junikut, dhe përcakton projektet, programet dhe veprimet për të arritur vizionin e synuar të komunës.
Komuna e Junikut është komunë e vogël shikuar nga aspekti demografik dhe territorial por me mundësi dhe potencial të madh për zhvillim ekonomik, falënderuar pozitës ndërkufitare dhe potencialit natyror që posedon, ruajtjes së traditave dhe trashëgimisë kulturore e mbi të gjitha popullatës së re dhe entuziaste për përparimin e komunës. Plani Zhvillimor i Komunës synon që këtë potencial ta ruajë, zhvillojë në mënyrë të qëndrueshme e racionale dhe promovojë në interes të Junikasve dhe atë kombëtar.
Procesi dy-vjeçar i hartimit të planit përfshirë edhe marrjen e pëlqimeve nga Ministria e Mjedisit për Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Planit dhe përputhshmërinë me Planin Hapësinor të Kosovës si dhe atë të aprovimit në Asamble është përcjell me një proces shumë transparent, gjithëpërfshirës dhe me një pjesëmarrje të gjerë të publikut gjatë gjithë fazave të hartimit të tij.
Komuna e Junikut, në mbledhjen e Kuvendit të mbajtur me date 29.07.2011 aprovoi Planin Zhvillimor Komunal 2011-2023+ duke shënuar kështu shembullin e parë në Kosovë që komuna me kapacitetet e saj dhe e mbështetur nga donatorët harton vet këtë dokument.