Në kuadër të 15 Shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Komuna e Junikut në bashkëpunim me ekipin e OSBE-së organizoi një sërë aktivitetesh. "Dera e hapur për qytetarë" u përcoll me një debat publik mbi demokracinë ku qytetarët kishin mundësi t’u bënin pyetje rreth proceseve demokratike që po kalon Kosova. Këto pyetje qytetarët patën rastin t’iu adresojnë Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Junikut, Zt. Sinan Gacaferi dhe përfaqësuesit të ekipit të OSBE-së në Junik, Zt. Edmond Dushi, të cilët iu përgjigjën pyetjeve të qytetarëve.
Në vazhdim, në sallën e Kuvendit Komunal u organizua një simulim i mbledhjes së Kuvendit me nxënës të Gjimnazit "Kuvendi i Junikut"të cilët debatuan në lidhje me burimet natyrore të Junikut, mbrojtja dhe shfrytëzimi i tyre.
Krejt në fund, pesë nxënës të së njëjtës shkollë morën pjesë në Kuizin e Diturisë me temën për Demokracinë të mbajtur në Gjakovë e që u organizua nga Zyra Rajonale e OSBE-se. Nga ky kuiz nxënësit e Junikut u kthyen si fitimtarë duke e ndarë vendin e parë me moshatarët e tyre nga Peja.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë shënohet me një mori aktivitetesh